Nëse punonjësit në institucione kanë kryer trajnime dhe janë trajnuar për të dhënat e hapura dhe për procesin e publikimit të tyre, si dhe për aspektet e avancuara teknike, atëherë ato njohuri duhet t’i zbatojnë në praktikë, në vendin e punës. Ky është mendimi i prof. dr. Ivan Çorbev, dekan në largim i Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, i pyetur se pse, përkundër trajnimeve të shumta, punonjësit e institucioneve ende i skanojnë dokumentet në vend që t’i bashkëngjisin në një format PDF të hapur, si formë më themelore e kërkueshme.
Sipas prof. Çorbevit, varet ekskluzivisht nga menaxhmenti i institucionit se si dhe në çfarë mënyre do të publikohen të dhënat.
“Punonjësit në institucione e bëjnë atë që ua urdhëron drejtori. Nëse ata kanë ndjekur trajnime, ata duhet t’i zbatojnë njohuritë që i kanë fituar atje në praktikë. Nëse, për shembull, punonjësit e shërbimit studentor të FSHIIK-ut nuk punojnë mirë, atëherë unë jam përgjegjës për këtë”, thotë profesor Çorbev.
Gjëja më e keqe është dokument i skanuar në formatin PDF.
Sipas profesor Çorbevit, gjëja më e tmerrshme është kur sheh se ka dokumente të bashkangjitura në formën e dokumentit të skanuar në formatin PDF.
“Asgjë nuk mund të kopjohet prej saj. Më të këqijat janë ato kur të japin një numër për një fletëpagesë, për shembull për TVSH apo doganë, në vend që të ta japin në një format që mund të kopjohet në e-banking, t’i duhet t’i shkruash numrat një nga një. Sa më shpejt duhet të ndërpritet dërgimi i dokumenteve të skanuara në formatin PDF-të, të cilat janë të palexueshme. Për të punuar në mënyrë më efikase duhet të ndryshohen gjërat”, thotë profesori.
Për të ndryshuar këtë praktikë, sipas tij, është e nevojshme që të detyrohen furnizuesit e softuerit që e përgatisin softuerin për institucionet.
“Është një gjë që punonjësit të kenë vullnetin për ta bërë punën ashtu siç duhet, por edhe prodhuesit e sistemeve softuerike duhet t’ua lehtësojnë punën nëpunësve duke ofruar ekspertë adekuatë. Softueri sigurisht që është paguar. Në specifikimet e tenderit kur kërkohet të zhvillohen softuerët, duhet të kërkohet mundësia për eksport të dokumenteve në PDF. Nëse softueri e eksporton dokumentin si fotografi, nuk mund të pritet që nëpunësi të bëjë mrekulli”, shton Çorbev.
Trajnimet për të dhënat e hapura janë shumë të rëndësishme
Iva Zafirovska është këshilltare për zhvillimin e GIS-it në komunën e Karposhit. Ajo ka marrë pjesë në trajnimet për transparencë dhe të dhënat e hapura të organizuara nga fondacioni “Metamorfozis”.
“Kam 10 vite që punoj në komunë, e di numrin e shkollave dhe të çerdheve, por kolegëve u thashë të më japin informacion më të detajuar, sa fëmijë kemi, sa janë meshkuj dhe sa janë femra. . Në pyetjen se në çfarë forme t’i japin, u thashë se nuk është e rëndësishme, se vetë do t’i bart në Excel. Disa prej tyre m’i dhanë në PDF që nuk mund të modifikohet, por ishin të hapur për bashkëpunim”, thotë Zafirovska.
Sipas saj, gjithçka ka të bëjë me bashkëpunimin brenda komunës dhe vullnetin e njerëzve për ta përmirësuar punën.
“Operatorët ekonomikë, gjegjësisht industrialë, kompanitë, e kanë më të lehtë të arrijnë deri te informacioni, nuk kanë nevojë të telefonojnë apo të vijnë në arkivin tonë. Në Excel dhe në CSL, që është kod i makinës, për të qenë më e lehtë për t’u përpunuar. Tani presim nga sektori i Zhvillimit Ekonomik Lokal të më dërgojnë tabela, u thashë se më duhen, p.sh., sa hotele kemi në territorin e komunës. Kemi edhe kadastër të ndotësve, ma kanë dhënë në Word, por e kam transferuar në Excel. Në trajnim na u tha që të mos përdorim PDF. Ka edhe institucione në të cilat ka rezistencë dhe nuk duan t’i fusin të dhënat në Excel sepse mendojnë se kjo nuk është e rëndësishme”, thotë Zafirovska.
Fondacioni Metamorfozis, në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, para tre muajsh zhvilloi një trajnim dyditor për të dhënat e hapura për katër institucione shtetërore. Trajnimi i mbuloi temat – Konceptet e përgjithshme të të dhënave dhe informacionit, dhe definimi i konceptit të të dhënave të hapura, pastaj, Përfitimet nga publikimi i të dhënave të hapura, Parimet e të dhënave të hapura, Aspektet teknike të avancuara të të dhënave të hapura, Procesi i identifikimit, katalogimit dhe prioritizimit të grupeve të të dhënave dhe Procesi i publikimit të të dhënave të hapura.
Trajnimi realizohet në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare, ndërsa aktiviteti konkret zbatohet për herë të tretë, gjegjësisht në vitin 2021 dhe 2020 trajnimin e kaluan dhjetë institucione shtetërore. Në trajnim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë së Punësimit, Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor.
Burimi: Мeta.mk
Ndaje: