Fondacioni për internet dhe shoqëri – Metamorfozis e mbështet procesin e miratimit të një Strategjie Kombëtare për TIK 2021-2025 me Planin shoqërues aksional, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë, i cili do të sigurojë identifikim më efikas të fushave prioritare në sektorin e TIK-ut dhe do ta përgatisë Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) për një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe të shkathët digjitale. Fokusi kryesor i Strategjisë dhe i Planit Aksional është përballja me sfidat e imponuara nga nevoja në rritje për lidhje në shoqëri, forcimi i konkurrencës dhe mundësimi i jetës më të zgjuar të përditshme të qytetarëve dhe bizneseve.

Duke u bazuar në përvojat e tij të mëparshme dhe ekspertizën e specializuar të zhvilluar përmes projekteve dhe iniciativave, Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Shoqërisë Informatike (2004-2005), Siguria në internet (2007-deri më tani), Kultura e Lirë – Creative Commons, Qasja e hapur në përmbajtjet akademike dhe Rrjetin Evropian Komunia (2007-deri më tani), hulumtimi Përdorimi i kompjuterëve në arsim (2010), Burimet e hapura arsimore (2012-deri më tani), Mendim kritik për qytetarët me aftësi mediatike – Krithik (2018-deri më tani), Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA (2020-deri më tani) dhe një numër aktivitetesh të tjera të mëparshme dhe aktuale, ekipi i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis në bashkëpunim dhe konsultim me ekspertë të jashtëm bëri disa analiza të shkurtra tematike të Propozim-tekstit të Strategjisë Kombëtare për TIK 2021-2025, me Planin shoqërues aksional, nga disa aspekte kryesore, duke përfshirë: 1) privatësinë, 2) qasjen e personave me aftësi të kufizuara, 3)përfshirjen digjitale dhe 4) barazinë gjinore.

Tre analizat e para të shkurtra tematike u ndanë më parë dhe mund të gjenden këtu. Analizën e katërt të shkurtër tematike, gjegjësisht analizën nga aspekti gjinor, e ndajmë në vazhdim, dhe për ta shkarkuar atë në pajisjen tuaj digjitale, mund të klikoni në temën e mësipërme.

 

Rekomandime për Propozim-Strategjinë Kombëtare të TIK-ut 2021-2025 dhe Planin aksional shoqërues në lidhje me barazinë gjinore

 

Sfida e ndërtimit të një modeli shoqëror të bazuar në barazinë gjinore duhet të shkojë paralelisht me përpjekjet për të zgjeruar qasjen e grave dhe përdorimin e TIK-ut nga ana e tyre si një mënyrë për ta demokratizuar informacionin, komunikimin dhe pjesëmarrjen e grave në gjenerimin e njohurive.

Hendeku digjital gjinor përbëhet nga tre pjesë: 1) qasja në dhe përdorimi i teknologjive digjtale dhe internetit; 2) zhvillimi i aftësive të nevojshme për përdorimin e teknologjive digjtale dhe përfshirja në dizajnimin dhe prodhimin e tyre; 3) avancimi i lidershipit të dukshëm femëror dhe mbajtja e pozicioneve vendimtare në sektorin digjital.

Më poshtë janë dhënë rekomandimet për propozim-tekstin e Strategjisë Kombëtare të TIK-ut 2021-2025 dhe Planin aksional për përfshirjen e aspektit gjinor:

  • Në pjesën hyrëse të Strategjisë, në pjesën ku theksohet se pandemia e Kovid-19 e ka shumëfishuar nevojën për praktika digjitale (fq. 7) dhe ku theksohet nxjerrja në pah e kufizimeve në këtë fushë për të theksuar se ajo preku veçanërisht gratë, posaçërisht gratë rurale, nënat e vetme, gratë nga shtresat e ulëta shoqërore, përfaqësueset e bashkësive të caktuara etnike (si p.sh. romet) të cilat nuk kanë qasje ose njohuri për të përdorur këto teknologji.
  • Angazhimi për qeverinë digjitale gjithëpërfshirëse duhet t’i përcaktojë në mënyrë specifike grupet e synuara dhe mënyrat se si do t’i përfshirë interesat dhe nevojat e tyre pasi të gjithë ata kanë nevoja dhe interesa të ndryshme dhe specifike.
  • Gjatë formimit të ekipit shumë të kualifikuar nga sektori privat dhe ai publik në kuadër të Agjencisë Qendrore Digjitale të Maqedonisë së Veriut (AQDMV), qeveria duhet të sigurojë përfaqësim të barabartë të profesionisteve (grave) nga fusha e TIK-ut dhe të promovojë vazhdimisht mundësi për gratë dhe vajzat për STEM. Si pasojë, Qeveria duhet të sigurojë përfaqësim të barabartë gjinor në Këshillin Drejtues (KD) dhe Këshillin Mbikëqyrës (KM) të AQDMV.
  • Në fushën funksionale të qeverisjes (udhëheqjes) së mirë të AQDMV-së të futen parimet dhe praktikat për promovimin e vazhdueshëm të një kulture të sigurt dhe të hapur organizative që nuk diskriminon gratë në sektorin e TIK-ut, por i promovon dhe i mbron ato nga mobingu dhe ngacmimet seksuale.
  • Në fushën e mbledhjes së të dhënave, të mblidhen të dhëna të ndara sipas gjinisë, një detyrim që rrjedh nga Ligji për Mundësitë e Barabarta për Gratë dhe Burrat[1]. Kjo ka të bëjë veçanërisht me aktivitetin e shënuar në Planin aksional për sigurimin e pajisjeve digjitale për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, me ç’rast është e nevojshme të ndahen të dhënat edhe sipas moshës, origjinës etnike, komunave dhe nevojave specifike për të parë ndikimin e aktivitetit dhe për të siguruar që i referohet nevojave reale.
  • Në hartimin, zhvillimin, testimin, aplikimin, ofrimin, funksionimin, mirëmbajtjen dhe mbështetjen e shërbimeve për qytetarët, të zhvillohen shërbime specifike për nevojat e grave, siç është shërbimi elektronik për mungesën e prindërve, për raportimin e dhunës me bazë gjinore, për regjistrimin e fëmijëve në shkolla dhe çerdhe, etj. dhe në të njëjtën kohë të mund të ndiqet statusi i kërkesës për shërbim në kohë reale. Kërkohet që dizajni i këtyre e-shërbimeve të bëhet në bashkëpunim me vetë përdorueset, si dhe me sektorin civil dhe të biznesit.
  • Fuqizimi digjital duhet të jetë i orientuar drejt dhe të përfshijë edhe masa specifike për grupe dhe nëngrupe të veçanta të qytetarëve, sepse ata kanë nevoja të ndryshme dhe specifike. Kjo nënkupton masa të veçanta për vajzat, për të inkurajuar mirëkuptimin, përdorimin, por edhe krijimin e përmbajtjeve digjitale; inkurajimin dhe edukimin e grave të moshuara, grave rurale, grave rome, nënave të vetme, grave me nevoja të veçanta dhe të tjera, për të përdorur shërbimet elektronike, por edhe për të punuar me mjete digjitale.
  • Për më tepër, fuqizimi duhet të mundësojë ofrimin e shërbimeve mbështetëse (të drejtpërdrejta) për ata që duan të përdorin e-shërbime, por nuk e dinë se si (p.sh. gratë e moshuara, gratë nga zonat rurale, gratë më pak të arsimuara, etj.). Duhet të kihet parasysh se këto shërbime duhet të jenë lehtësisht të arritshme dhe të disponueshme gjerësisht sepse shumë nga këto gra për shkak të përgjegjësive tradicionale familjare nuk mund të shkojnë pjesë në klube të internetit, të cilat zakonisht konsiderohen vende ku mblidhen djemtë dhe burrat për të luajtur lojëra. Kësaj i shtohet edhe frika nga mundësia për t’i dëmtuar pajisjet dhe frika nga teknologjia, në përgjithësi. Si mundësi duhet të shihet ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, që punojnë drejtpërdrejt me gratë dhe tashmë janë njohura me nevojat e tyre, dhe mund të luajnë më tej rolin e shumëzuesve ku ata, me mbështetjen institucionale dhe financiare nga institucionet, do të jenë në gjendje të përhapin edukimin digjital të grave dhe të punojnë drejtpërdrejt me to në zhvillimin e aftësive të tyre digjitale. Shembuj të tillë të suksesshëm tashmë ekzistojnë në Bolivi.
  • Praktikak e këtilla mund të ndihmojnë në krijimin e lidhjeve më të mira familjare pasi një pjesë e madhe e popullsisë së rritur ka pasardhës që kanë emigruar dhe me të cilët kanë komunikim të kufizuar për shkak të mosnjohjes së teknologjisë.
  • Rritja e numrit të profesionistëve të TIK-ut mund të bëhet jo vetëm duke e bërë këtë profesion më tërheqës si një zgjedhje karriere dhe duke i inkurajuar gratë që të përfshihen më shumë në këtë fushë, por edhe përmes aktiviteteve specifike për të mbështetur vajzat dhe gratë e reja që të përqendrohen në këtë fushë. Kjo do të përfshinte bursa, përshtatjen e përmbajtjeve mësimore të qenë të ndjeshme ndaj gjinisë dhe pa stereotipe gjinore, trajnim më të mirë të mësimdhënësve si njerëz që mund të ndikojnë në njohuritë dhe inkurajimin e grave për t’u interesuar për TIK-ut.
  • Koalicioni i parashikuar për fuqizimin digjital duhet të përfshijë organizatat e shoqërisë civile të grave, shoqatat e biznesit që i përfaqësojnë nevojat e grave sipërmarrëse, si dhe bizneset në pronësi të dhe / ose të drejtuara nga gratë në mënyrë që të përcjellin nevojat e tyre specifike në agjendën kombëtare digjitale.
  • Enti Shtetëror Statistikor i RMV-së gjatë ofrimit të mbështetjes për Qeverinë e RMV-së dhe koalicionin kombëtar duke përgatitur një pyetësor për vlerësimin e aftësive digjitale në vend, të mbajë statistika të ndara sipas gjinisë, gjegjësisht të mbledhë të dhëna të ndara sipas gjinisë.
  • Për të rritur vetëdijen për rëndësinë e përmirësimit të aftësive digjitale, qeveria duhet të zhvillojë shërbime specifike të nevojshme për grupe të ndryshme qytetarësh në mënyrë që ta zgjojë interesin e tyre për përdorimin e tyre. Aplikacionet celulare për raportimin e dhunës me bazë gjinore ose për informimin për numrin e vendeve në çerdhet e fëmijëve dhe regjistrimi online me siguri do t’i interesojnë gratë që t’i përdorin ato.
  • Edukimi dhe përmirësimi i njohurive për aftësitë digjitale duhet ta marrë parasysh hendekun gjinor dhe të përqendrohet në përfshirjen e sa më shumë vajzave dhe grave në këtë proces. Duhet të kihet parasysh se nuk është e mjaftueshme të përqendrohen aktivitetet tek të papunët (siç thuhet në Strategji) por të identifikohen personat (kryesisht gratë) që nuk regjistrohen fare në APRM dhe t’i arrihet te to përmes sektorit civil.
  • Siguria kibernetike nuk duhet të shqyrtohet vetëm në kontekstin e shërbimeve digjitale nga Qeveria, por gjithashtu duhet të synojë ofrimin e sigurisë dhe ndëshkimin e akteve, p.sh. futja e ngacmimit online në Kodin Penal si vepër penale, p.sh. ndarja e informatave personale dhe / ose fotografive të dikujt, video për të dëmtuar dikë (doxing), një praktikë që më së shpeshti u drejtohet grave, shpesh duke përfshirë dedhe pornografinë për hakmarrje (revenge-porn).
  • Në kontekst të mbështetjes së hulumtimit dhe inovacionit, Qeveria duhet të inkurajojë dhe të ofrojë mbështetje për hulumtueset dhe për gratë në STEM. Mbështetja e ofruar nga Qendra për Inovacionin Digjital për kompanitë e sapokrijuara fillestare (start-up) me potencial të madh dhe kompanitë spin-off, t’i përfshijë ato që janë themeluar nga vajzat/gratë.
  • Miratimi i një strategjie komunikimi dhe planifikimi i aktiviteteve promovuese duhet të bëhet paralelisht me ofrimin e shërbimeve specifike gjinore dhe shërbimeve që do të jenë të lehta për t’u kuptuar dhe në të njëjtën kohë do të ofrojnë mbrojtje të privatësisë.

Rekomandimi i përgjithshëm për propozim-tekstin e Strategjisë Kombëtare të TIK-ut 2021-2025:

Teksti i Strategjisë duhet të përshtatet me një gjuhë që reflekton pronësinë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për momentin, teksti tregon se është marrë nga një analizë / raport i situatës me TIK-un në vend me rekomandime të përfshira dhe praktika të mira, duke mos e pasqyruar pronësinë (ownership) e shprehur nga Qeveria, e cila i parashikon dhe i njeh sfidat e paraqitura nga Strategjia, dhe planifikon t’iu qaset atyre në mënyrë strategjike dhe institucionale.

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis vazhdon të punojë në mënyrë aktive në fushën e avancimit të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënies sociale, të cilat janë pjesë e angazhimeve strategjike të Fondacionit.

[1] Gazeta Zyrtare e RM-së nr. 6/2012 dhe 166/2014.

Ndaje: