Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari dhe Zëvendëskryeministrja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, me qëllim të përgatitjes së një Strategjie të re për Transparencë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë dhe të institucioneve duke u bazuar në parimet e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe shkëmbimit të njohurive dhe përvojave.

Strategjia e Transparencës do të synojë lidhjen dhe harmonizimin e politikave tashmë të miratuara, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte synojnë të përmirësojnë transparencën e institucioneve, por edhe të ofrojë udhëzime të reja për përmirësimin e transparencës së institucioneve. Me krijimin e këtij dokumenti strategjik do të operacionalizohen dhe përmirësohen rregullat e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve dhe parimi i transparencës. Qëllimi i Strategjisë së Transparencës së Qeverisë, e cila do të përgatitet në një proces konsultativ me palët e interesuara me mbështetjen e Fondacionit Metamorfozis, është të sjellë ndryshime sistematike në drejtim të qeverisjes së mirë.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore në RMV” të realizuar nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur-Maqedoni.

Ndaje: