Metamorfozis ishte pjesë e konferencës së katërt vjetore “Java e Privatësisë” të organizuar nga Partnerët për Ndryshime Demokratike – Serbi në Beograd, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ngjarja u organizua për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për çështjet e ndryshme me të cilat përballet e drejta e qytetarëve për privatësi, si të mbrohet e drejta e qytetarëve për privatësi, dhe për të ngritur diskutime më të mëdha rreth gjendjes së mbrojtjes së privatësisë në Serbi dhe në nivel global. Java e Privatësisë u jep zyrtarëve publikë, shoqërisë civile, sektorit privat dhe hapësirës publike një shans për të biseduar, për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të iniciuar ndryshime. Qëllimi i Javës së Privatësisë është të japë një pasqyrë të standardeve të arritura dhe të problemeve në zbatimin e kornizës ekzistuese ligjore për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të propozojë zgjidhje që mund të ndihmojnë në përmirësimin e situatës aktuale në këtë fushë. Çdo vit, Java e Privatësisë fokusohet në përdorimin e teknologjive të reja dhe tendencave ndërkombëtare që kanë ndikim në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtës së privatësisë. Java e Privatësisë organizohet si një ngjarje hibride me mundësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë, personalisht, ose online.
Paneli hapës i titulluar “Zgjidhni privatësinë – Roli i të dhënave personale në vitin global zgjedhor“, mblodhi së bashku ekspertë relevantë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë: Gjorgje Bojoviq, Këshilltar për Ballkanin Perëndimor, Parlamenti Evropian, Tijana Cvjetiqanin, Drejtore e programeve nëOJQ-në “Zashto da ne?” (Pse jo?) (Bosnje dhe Hercegovinë), Angela Trajiq, anëtare e ekipit ligjor në CRTA (Serbi), Goran Rizaov, Menaxher i Programit për Media dhe Demokraci, Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut) dhe Montserat Legoreta, bashkëpunëtor i programit në Iniciativën e Rrjetit Global.

Rizaov foli për kërcënimet nga materialet audio dhe video deepfake (të rrejshme) në kontekstin e ndryshimit të perceptimit publik në fushatat zgjedhore dhe rëndësinë e edukimit që nga mosha më e re si dhe përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e edukimit mediatik të popullatës. Ai foli edhe për rëndësinë e rolit të dezinformimit në procesin zgjedhor. Rizaov më tej bëri thirrje për një qasje rajonale në zgjidhjen e kësaj çështjeje sepse individualisht jemi të vegjël, por së bashku mund të përballemi me kompanitë e mëdha të teknologjisë për të mbrojtur më mirë privatësinë.

I gjithë paneli mund të ndiqet përmes videos më poshtë.

Ndaje: