Në periudhën 16-18 shtator 2020, u mbajt konferenca e shtatë me radhë PUBMET në të cilën u prezantuan qasje inovative, praktika të mira dhe sfida të së ardhmes në komunikim dhe publikimin e shkencës së hapur. Më 18.09.2020, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis ishte organizatori i sesionit me temë “Sfidat në arsimin e hapur dhe online në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Sesioni u ideua dhe u moderua nga z. Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, i cili ka përvojë shumvjeçare në fushën e teknologjive të reja, mediave, aktivizmit qytetar dhe e-qeverisjes. Së bashku me bashkëbiseduesit e tij, ai dha një pasqyrë të situatës në fushën e hulumtimit shkencor, aspektet kulturore dhe psikologjike të të mësuarit online dhe sfidat në mësimdhënien online në arsimin fillor. Në sesioni folën Zoran Janevski, Instituti Ekonomik – Shkup, Prof. Sead Xhigall, Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit – Shkup dhe Goce Arsovski, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis.

Prof. Zoran Janevski – drejtor i Institutit Ekonomik – Shkup theksoi se ka shumë faktorë që e kufizojnë zhvillimin e fushës së hulumtimit shkencor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Fakti që vetëm 0.35% e PBB-së është dedikuar për hulumtime shkencore tregon se potenciali për zhvillim është jashtëzakonisht i vogël. Për më tepër, financimi i instituteve shkencore nga shteti është i ulët, burimet njerëzore janë të kufizuara, ndërsa zhvillimi i përmbajtjeve dhe platformave të reja për mësim online nuk është buxhetuar fare. Përballë sfidës për t’i drejtuar vetë proceset e tyre dhe për të luftuar për stabilitetin financiar, hulumtuesit e humbin vullnetin për t’i bërë rezultatet e hulumtimeve të tyre të disponueshme falas. Shteti duhet të bëjë seriozisht reforma në këtë fushë, të punojë në zhvillimin e një plani për aktualizimin dhe shpërndarjen e hulumtimeve, por gjithashtu edhe t’i inkurajojë institucionet të krijojnë të dhëna të relevante dhe cilësore që do të jenë në dispozicion për mësim dhe hulumtim të mëtejshëm.

Përvoja e Prof. Sead Xhigall – Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit – tregon se shumica e mësimdhënësve dhe një numër shumë i madh i nxënësve kishin qasje negative ndaj mësimdhënies online. Si një faktor kyç, ai e veçon stresin nga diçka që është e re, për të cilën nuk ishin të përgatitur as profesorët dhe as nxënësit. Një faktor tjetër në ndërtimin e një qëndrimi negativ ndaj të mësuarit online është struktura e moshës së mësimdhënësve, e cila lidhet drejtpërdrejt me mungesën e aftësive të TI-së, veçanërisht sepse nuk janë vetëm aftësitë themelore të TI-së, por edhe përgatitja e plotë e përmbajtjeve dhe mënyra e transmetimit të tyre. Shumë nxënës nuk i kanë mjetet e duhura për ta ndjekur mësimin online pa probleme, ndërsa ata që i kanë, përgjithësisht i kuptojnë ato si mjete që i përdorin për argëtim, e jo edhe për të mësuar. Është gjithashtu një sfidë edhe mbajtja e vëmendjes së nxënësve, përqendrimi i tyre zvogëlohet ndjeshëm pas 20 minutash nga fillimi i orës. Sipas prof. Xhigall, mësimi online duhet të bëhet i detyrueshëm në një numër të caktuar orësh edhe pas përfundimit të pandemisë, ndërsa mësimdhënësit duhet të kenë trajnime të rregullta.

Goce Arsovski – Metamorfozis, i prezantoi gjendjet e identifikuara nga hulumtimi “Gjendjet dhe sfidat për realizimin e mësimdhënies online në shkollat fillore”, i kryer gjatë muajve të kaluar me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Sipas rezultateve të fituara, pothuajse gjysma e pjesëmarrësve (44.5%) në shkollë, për nevoja zyrtare, përdorin laptopin e tyre. 84.9% e kuadrit mësimdhënës përdorin e-maile private për komunikim zyrtar. Kjo është problematike nga disa aspekte, veçanërisht nga aspekti i mbrojtjes së të dhënave personale të nxënësve, të cilët janë të mitur gjatë arsimit fillor. Pothuajse një e treta e kuadrit mësimdhënës (31.6%) internet në shkollë kanë vetëm në celularin e tyre. Fatkeqësisht, ka edhe vende ku shkollat nuk ofrojnë aspak qasje në internet. Midis rekomandimeve të shumta në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës së TI-së janë edhe rekomandimet për disponueshmërinë e materialeve arsimore për të gjithë nxënësit, veçanërisht për nxënësit që ndjekin mësim në gjuhët e bashkësive më të vogla si dhe promovimin e përdorimit të resurseve të hapura arsimore si alternativë e teksteve shkollore dhe mjete mësimore klasike.

* * *

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis përmes programit – Arsimi për inovacion angazhohet për arritjen e qëllimeve të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, rritjen e kapacitetit të organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve, sipërmarrësve, organizatave rinore dhe palëve të tjera të interesuara për të menaxhuar me kompetencë mënyrat e tyre të jetesës që janë të lidhura ngushtë me internetin, si dhe për pjesëmarrjen e tyre në proceset e vendimmarrjes dhe hartimit të politikave për problemet me interes publik, duke përdorur mjete digjitale inovative.

Ndaje: