Burimi: Arkivi privat

Me ftesë të Asistencës teknike për organizatat e shoqërisë civile (EU TACSO 3) në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, në datat 31 tetor dhe 1 nëntor, Metamorfozis ishte pjesë e panelistëve në ngjarjen “nga njerëzit për njerëzit” të dedikuar efekteve të tranzicionit digjital mbi organizatat e shoqërisë civile.

Ideja kryesore e ngjarjes ishte inkurajimi i organizatave të shoqërisë civile në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi që të avancojnë në epokën digjitale dhe të inkurajojnë ndryshime pozitive shoqërore përmes shkëmbimit të njohurive, rrjetëzimit në nivel ndërkombëtar dhe rajonal, dhe diskutimeve në panele ekspertësh dhe seancave interaktive.

Burimi: Arkivi privat

Përfaqësuesja e Metamorfozis, Milla Josifovska Danillovska, koordinatore e programeve për përgjegjësi shoqërore dhe të drejtat e njeriut online, së bashku me Snezhana Niçeviq nga OJQ-ja “35mm” (Mali i Zi) dhe Armin Shestiq nga Shoqata për Zhvillim Social, Kulturor dhe Kreativ “Zora” (Bosnjë dhe Hercegovinë), ishin pjesë e panelit të fundit të diskutimit, ku ata i ndanë praktikat e organizatave të tyre për fuqizimin e sektorit civil me aftësi dhe mjete digjitale.

Ndër iniciativat e suksesshme të Metamorfozis në ofrimin e mbështetjes për OJQ-të, por dhe për palët e tjera të interesuara në ngritjen e kapaciteteve dhe rezistencës së tyre digjitale, si dhe fuqizimin përmes donacioneve softuerike, Josifovska Danillovska i potencoi iniciativat e Programit TechSoup për donacione softuerësh në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, programin e aktivizmit digjital që Metamorfozis po e realizon me TechSoup Global dhe Google, projektet dhe trajnimet për sigurinë digjitale, ndihmën e parë digjitale, Rritjen e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën digjitale – ICEDA, Mbrojtjen Teknike dhe të Integruar të të Dhënave Personale – Ndërtimi i një Ekosistemi Digjital Gjithëpërfshirës, etj.

Burimi: Arkivi privat

Prezantimet nxitën komente dhe pyetje nga të pranishmit, disa prej të cilave u fokusuan në atë se si organizatat të jenë në hap me peizazhin digjital në ndryshim, dhe çfarë duhet të bëjnë ato për sa i përket përdorimit të mjeteve digjitale dhe zhvillimit të aftësive të tyre digjitale.

Në përgjithësi, folësit ranë dakord se për të qëndruar të përditësuar me inovacionet e vazhdueshme teknologjike, duhet punuar për të zhvilluar shkathtësinë në mësimin, punën dhe jetesën tonë, si dhe të bëhet një ndarje e mirë e punës dhe portofoleve në ekip, por dhe të bëhet prioritizimi i proceseve dhe tendencave të cilat janë në dobi të organizatës dhe anëtarëve të saj.

Burimi: Arkivi privat

Përveç kësaj, Josifovska Danillovska i këshillon organizatat se si të jenë më efikase në ngritjen e kapaciteteve të tyre digjitale, gjegjësisht:

  • vlerësim i rregullt i kapaciteteve të brendshme digjitale, duke i përfshirë anët e forta dhe të dobëta;
  • hulumtimi i mundësive për ngritjen e kapaciteteve, me theks në ato që i ofron sektori civil pa kompensim financiar;
  • vendosja e bashkëpunimit me ekspertë, fakultete, organizata civile dhe biznese, veçanërisht duke iu referuar përgjegjësisë shoqërore korporative të sektorit të biznesit;
  • përdorimi i softuerit me kod të hapur për të reduktuar kostot e panevojshme;
  • përdorimi i mençur dhe etik i mediave sociale për qasje më të mirë ndaj publikut dhe grupeve të synuara me të cilat ata punojnë.

“Ngritja e kompetencave digjitale është një proces i vazhdueshëm, prandaj sigurohuni që të eksploroni dhe të përshtateni vazhdimisht me teknologjitë e reja dhe ndryshimin e peizazhit digjital.” – shtoi ajo.

Ndaje: