Sot në shkollën fillore “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, “Qendra kombëtare për zhvillimin e inovacioneve dhe mësimit sipërmarrës” e realizoi ngjarjen “Bëni një robot” në kuadër të projektit “Meet and Code 2019”, i cili është pjesë e Javës evropiane të programimit, ndërsa implementohet nga Fondacioni Metamorfozis.
Në këtë aktivitet ku morën pjesë ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski, përfaqësues të Fondacionit Metamorfozis, dhe udhëheqësia e shkollës, profesori Doc. dr. Nikolla Rendevski dhe disa studentë nga Fakulteti për Teknologji Informatike dhe të Komunikimit, u treguan fëmijëve të klasës 3 si ta programojnë një robot në mënyrë të thjeshtë.
– Në kuadër të këtij projekti, për çdo vit përfshihen gjithnjë e më shumë shkolla dhe nxënës, dhe Maqedonia e Veriut e ndjek këtë trend. Kjo do të thotë se të rinjtë këtu e dijnë se e ardhmja qëndron në shoqërinë informatike, në inovacionin dhe në eksplorimin dhe zbulimin e vazhdueshëm të diçkaje të re – theksoi ministri Damjan Mançevski në fjalimin e tij para nxënësve.
Sipas ministrit, programimi ndihmon në zhvillimin e aftësive të nevojshme për të jetuar në shekullin XXI, të tilla si të menduarit në mënyrë kompjuterike, zgjidhja e problemeve, kreativiteti dhe puna ekipore.
– Shumë shpejt, 90% e vendeve të punës do të kërkojnë një nivel bazë të shkathtësive digjitale. Prandaj, duke filluar nga sot ne duhet të punojmë së bashku, si qeveri, shkolla – mësuese, organizata të shoqërisë civile që të rinjtë t’i zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës që në moshë të re – theksoi ministri Damjan Mançevski.
Në krahasim me vitin e kaluar, numri i ngjarjeve të paraqitura në “Codeweek” është dy herë më i lartë dhe këtë vit ai është 249, me ç’rast Maqedonia renditet në vendin e 7-të për nga numri i ngjarjeve të organizuara me rastin e Javës evropiane të programimit.
Në kuadër të projektit “Meet and Code 2019!” të cilin e organizon Fondacioni “Metamorfozis”, ka rritje të numrit të granteve (për ngjarje) nga 25 vitin e kaluar në 40 grante këtë vit.
Projekti “Meet and Code 2019” në Maqedoni zbatohet nga Fondacioni “Metamorfozis” në partneritet me portalin për TI, “Stifter-Helfen” dhe partnerët e rrjetit “TechSoup Europe”. “Meet and Code 2019” mundësohet nga kompania SAP.
Ndaje: