Sot, Grupi Këshillues i Ekspertëve (GKE) i projektit Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, u takua online me partnerët e ICEDA-s për të dëgjuar për arritjet e projektit dhe të rrjetit, dhe për strategjinë e tyre deri në fund të projektit. U diskutuan edhe arritjet e arritura gjatë të tre viteve të realizimit të projektit, si dhe sfidat me të cilat është përballur ekipi dhe rrjeti i projektit. Informacione për takimin e parë dhe qëllimin e GKE-së mund të gjeni këtu.

Në takim morën pjesë ekipi i projektit nga 5 vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe anëtarët e GKE-së. GKE-ja përbëhet nga 5 anëtarë nga institucionet e BP-së, shumica e të cilëve ishin të pranishëm në mbledhje ose u përfaqësuan nga zëvendësit e tyre, përkatësisht: Z. Agim Kukaj, Ministria e Ekonomisë (Kosovë), znj. Drita Murtezani, Këshilltare Speciale për TIK në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (Maqedonia e Veriut), znj. Jona Haderi, Agjencia Kombëtare për Informacion dhe Shoqëri (Shqipëri), z. Sllobodan Marković, Këshilltar digjital në UNDP Serbi (Serbi) dhe znj. Bojana Bajiq, Ministria e Financave (Mali i Zi). Anëtarët u zgjodhën në bazë të njohurive të tyre të specializuara, aftësisë për të përfaqësuar interesat e bashkë-aplikantëve dhe aftësisë për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve me të cilat mund të përballet projekti. Gjatë përcaktimit të anëtarësimit të GKE-së, iu kushtua vëmendje balancës gjinore, shpërndarjes gjeografike dhe përfaqësimit të përdoruesve.

Takimin e hapi Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis si partner kryesor në projektin ICEDA, i cili theksoi se zbatimi i projektit ishte edhe sfidues, por edhe i suksesshëm. Sfida kryesore e vërejtur ishte shfaqja e KOVID-19 që në fillim të projektit, megjithatë, në pjesën më të madhe të këtij projekti, u arritën objektivat e vendosura. Me kontributin e anëtarëve të GKE-së siç u kërkua gjatë këtij takimi, janë paraparë të mblidhen rekomandime shtesë për të ecur përpara në plotësimin e boshllëqeve të projektit të cilat mund të përmirësohen për të arritur rezultate me ndikim.

Pas një diskutimi produktiv në takim, anëtarët e GKE-së e vlerësuan rëndësinë e kësaj nisme dhe arritjet e saj, duke e theksuar rëndësinë e vazhdimit të saj me fokus në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe OSHC-ve, si dhe vazhdimin e ngritjes së kapaciteteve të qytetarëve, mediave, administratës publike etj. për temat relevante që lidhen me transformimin digjital.

Grupi kryesor i rekomandimeve të theksuara në këtë takim u shqyrtua përmes tre grupeve të rekomandimeve:

  1. Bashkëpunimi duhet të përforcohet ndërmjet të gjithë aktorëve: institucioneve, OSHC-ve, mediave, bizneseve, qytetarëve. Institucionet duhet të jenë më të hapura për bashkëpunim dhe të kërkojnë ndihmë nga sektori qytetar, por sektori qytetar duhet të jetë më proaktiv me kërkesat e tyre për përmirësim dhe përfshirje në proceset e krijimit, mbështetjes dhe vendimmarrjes.
  2. Ngushtimi i diapazonit të aktiviteteve është thelbësor, si dhe vendosja e një fokusi më të madh në grupe të caktuara aktivitetesh si siguria kibernetike, edukimi digjital, higjiena kibernetike, dezinformimi, etj. trajnimet për autoritetet publike, OSHC-të, shkollat dhe mediat (me theksin te dezinformimi), si dhe higjiena kibernetike.
  3. Ndërtimi i kapaciteteve të autoriteteve publike, OSHC-ve, shkollave dhe mediave është thelbësore të vazhdohet më tej.

Siç përmendën partnerët, si pjesë e periudhës së zgjatjes së projektit pa kosto, ai do të vazhdojë të zbatojë fushatën e tij të edukimit publik përmes krijimit dhe shpërndarjes së artikujve audio-vizualë edukativë dhe informativë, por edhe tekste në të gjitha gjuhët e BP-së. Ndër aktivitetet kryesore në kuadër të zgjatjes së projektit pa kosto, do të mbahen edhe uebinarë shtesë, DDA, dhe një konferencë përfundimtare që do të mbahet në prill të vitit 2023, në Shkup, ku do të ftohen të gjitha palët e interesuara të projektit ICEDA.

——————————————————————————————————————————————

Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për E-Qeverisje (Estoni), Levizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Ndaje: