Më 22.01.2021 (e premte) me fillim në orën 10:00, në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën digjitale – ICEDA”, Fondacioni Metamorfozis në partneritet me Lëvizja MJAFT (Shqipëri), Open Data Kosovo (Kosovë), OJQ 35 MM (Mali i Zi) dhe CRTA – Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), u mbajt ngjarja rajonale online “Dialogje rajonale për Agjendën Digjitale”. Ngjarja u incizua dhe u transmetua drejtpërdrejt (Facebook live streaming) dhe mund të gjendet këtu Ngjarja u ndoq nga 175 përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve, mediave dhe qytetarë të Ballkanit Perëndimor dhe përbëhej nga një prezantim i shkurtër i hulumtimit rajonal “Observatori i Agjendës Digjitale: Hulumtim i gjendjes themelore për zhvillimin e e-qeverisjes dhe edukimit digjital në vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor 2020”, i pasuar nga një diskutim mbi përmirësimin e gjendjes së zhvillimit të e-qeverisjes dhe edukimit digjital në vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor.

Bardhyl Jashari – Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, mbajti një fjalim hyrës, duke theksuar se transformimi digjital dhe interneti kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe inovacionin global, rajonal dhe lokal, por në realitet, e kjo konfirmohet edhe nga hulumtimi i IECDA-s, jo të gjithë qytetarët nga të gjitha sferat e shoqërisë janë të vetëdijshëm ose i ndiejnë përfitimet e transformimit digjital, i cili si rezultat të fundit duhet të ketë përmirësimin e stilit të tyre të jetesës.

Pas fjalimit hyrës pati një prezantim të shkurtër të hulumtimit rajonal “Observatori i Agjendës Digjitale: Hulumtim i gjendjes themelore për zhvillimin e e-qeverisjes dhe edukimit digjital në vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor 2020”, nga ana e Misha Bojoviq – hulumtuese e lartë në CRTA. Hulumtimi është pjesë e Observatorit të Agjendës Digjitale, i cili është një mjet me metodologji të veçantë përmes të cilit do të monitorohet zbatimi i Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Qëllimi i hulumtimit është të sigurohet perspektivë rajonale dhe një pikë fillestare për matjen e mëtejshme të progresit në këto fusha sa i përket Agjendës Digjitale, si dhe të sigurohen rekomandime shtesë për përmirësim.

“Digjitalizimi nuk përfshin një pjesë të madhe të ndryshimeve administrative. Qeveritë duhet të krijojnë portale që do të ofrojnë e-shërbime në një vend. Zbatim më efikas të e-shërbimeve ka për sektorin e biznesit, por duhet bërë edhe shumë më tepër. “Gjithashtu, disa prej tyre nuk kanë përfundim, sepse në një moment qytetari dërgohet në sportel, gjegjësisht në mënyrën tradicionale të mbledhjes së të dhënave” – tha Bojoviq.

Shkurtimisht, gjetjet kryesore të hulumtimit janë renditur më poshtë:

  • Janë njohur përpjekjet për të siguruar Internet me Bandë të Gjerë për të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por vendet duhet të jenë më të kujdesshme në azhurnimin e dokumenteve të tyre strategjike dhe rregullatore. Vendet janë vonë në miratimin e akteve ligjore, e ngecin edhe më shumë në zbatimin e inovacioneve. Duke pasur parasysh natyrën e procesit të digjitalizimit, ai duhet t’i ndjekë kërkesat e tregut, përndryshe do të mbetej i vjetruar dhe shumë i shtrenjtë.
  • Për më tepër, këto përpjekje duhet të plotësohen me një fushatë ambicioze për ngirtjen e vetëdijes së qytetarëve për përfitimet e digjitalizimit. Pasi që në këtë moment të gjitha vendet përballen me paqëndrueshmëri politike si dhe me zgjedhje në këtë vit, të shoqëruar me krizën e pandemisë, ekziston frika për ngadalësimin e progresit në përkushtimin për zbatimin e Agjendës Digjitale. Nëse qeveritë e reja vendosin të mos e vendosin atë në listën e prioriteteve të tyre, ndërprerja e procesit do të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e tij.
  • Digjitalizimi i shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor varet kryesisht nga aspekti financiar, ndërsa shumica e shërbimeve elektronike të ofruara (e-shërbimeve) janë të destinuara për sektorin e biznesit. Qeveritë duhet të inkurajohen që t’i përcaktojnë kriteret e tyre për futjen në përdorim të shërbimeve të e-qeverisjes duke u bazuar në nevojat e qytetarëve. Paralelisht me këtë, duhet të bëhen më shumë përpjekje për arsimimin e qytetarëve, edukimi digjital i të cilëve aktualisht është i ulët, për t’u mundësuar atyre t’i kuptojnë përfitimet e digjitalizimit.
  • Digjitalizimi është një pjesë integrale e reformës së administratës publike. Ai ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e administratës dhe në kursimet e buxhetit. Ndërmarrja më e madhe për të gjitha vendet është interoperabiliteti i të gjitha bazave të të dhënave që i kanë institucionet e ndryshme qeveritare. Pasi të përfundojë ky proces, qytetarët do të jenë në gjendje të marrin çdo shërbim administrativ thjesht duke filluar një procedurë online, ndërsa pjesa tjetër e procesit është e automatizuar. Deri më tani, qeveritë kanë ofruar zgjidhje të pjesshme, me pak a shumë sukses, ndërsa disa pjesë të procedurës mbështeten në administratën publike tradicionale.
  • Rezistenca ndaj digjitalizimit pjesërisht vjen nga sistemimi i nëpunësve publikë. Reforma nënkupton ndryshimin e rutinës së tyre afatgjatë, nevojën për arsimim, ndryshimin e procedurave, përshtatjen ndaj teknologjive të reja, etj. Ekziston një hendek midis gjeneratave në mësimin me e-teknologjitë dhe ajo që është në mënyrë të pashmangshme normale dhe e lehtë për brezat e rinj mbetet e vështirë për ata që janë njohur me teknologjinë në moshë të shtyrë.
  • Duke qenë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe se ende duhet të harmonizohen me standardet e BE-së sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, Agjenda Digjitale mbetet një nga segmentet për të cilën do të punohet.

Në përputhje me gjetjet e hulumtimit, u prezantua edhe udhërrëfyesi, gjegjësisht lista me 18 rekomandime për përmirësim në fushat prioritare që së bashku ofrojnë një udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në rajon, të cilat gjenden në hulumtim.

Pas prezantimit të hulumtimit, kishte hapësirë për diskutim për përmirësimin e gjendjes së zhvillimit të e-qeverisë dhe edukimit digjital në vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor. Nga përfaqësuesit e institucioneve folën Romina Kostani – Drejtore e Drejtorisë së Inovacionit dhe IPA Sektoriale e-Gov (Shqipëri), Fjolla Restelica – projekti KODE në Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor (Kosovë), Bojana Bajiq – Drejtore e Përgjithshme e Departamentit për Digjitalizim dhe Sisteme të Informacionit në Ministrinë e Financave (Mali i Zi), Sollza Kovaçevska – Këshilltare Shtetërore në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (Maqedonia e Veriut) dhe Zharko Dakiq – Këshilltar për TI, anëtar i Këshillit të Qytetit të Pançevës (Serbi). Organizatat e shoqërisë civile që morën pjesë në diskutim janë anëtarë të rrjetit ICEDA, gjegjësisht Aldo Merkoçi – koordinator i projekteve në Lëvizja MJAFT (Shqipëri), Blerina Ramaj – koordinatore e projekteve në Open Data Kosovo (Kosovë), Snezhana Nikiçeviq – koordinatore e projekteve në OJQ 35 MM (Mali i Zi) ) dhe Filip Milenkoviq – koordinator i projektit në CRTA (Serbi).

Konkluzionet e diskutimit përkuan kryesisht me konkluzionet dhe rekomandimet e studimit rajonal. Në fakt, qëllimi i dixhitalizimit është t’i thjeshtojë proceset dhe ta përmirësojë jetën e qytetarëve, ndërsa pandemia Kovid-19 e theksoi edhe më tej rëndësinë dhe nevojën për digjitalizimin e shërbimeve të institucioneve, thjeshtimin e tyre, si dhe edukimin e qytetarëve për përdorimin online të atyre shërbimeve, në vend të pritjes tradicionale në sportele. Gjithsesi, duhet të jemi të vetëdijshëm se kur prezantojmë inovacione dhe zgjidhje digjitale, duhet të kihet parasysh se është e nevojshme të sigurohet qëndrueshmëria dhe siguria e tyre, si dhe zgjidhja e tyre përmes një qasjeje sistematike. Për më tepër, është e nevojshme që institucionet nga rajoni t’i vendosin të gjitha e-shërbimet në një vend dhe t’i bëjnë ato plotësisht digjitale, nga momenti i aplikimit deri në momentin e marrjes së shërbimit. Gjithashtu, një nga përfundimet e përgjithshme ishte edhe rritja e vetëdijes kolektive për përfitimet nga digjitalizimi së gjithë popullsisë, që është një sfidë për periudhën e ardhshme.

Në vazhdim mund ta lexoni hulumtimin në maqedonisht, shqip dhe anglisht.

 

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: