Maratoni i parë u mbajt më 25 prill, me fillim në orën 17.00, në hapësirat e Fondacionit Fokus në Veles. Në maraton morën pjesë 12 aktivistë lokalë nga Velesi, në mesin e të cilëve kishte edhe përfaqësues nga Radio CD, Fondacioni Fokus, SHE Villa Zora, NPK Derven dhe PFRM Veles. Maratoni filloi me një trajnim të shkurtër për shfrytëzimin e platformës wiki.mk. Pastaj pjesëmarrësit duke i ndjekur hapat për vendosje, redaktim dhe azhurnim të përmbajtjeve tekstuale dhe fotografive, filluan që individualisht t’i fusin tekstet dhe fotografitë e përgatitura më parë nga lëmi të ndryshme, duke i shfrytëzuar veglat e wiki-t. Gjatë këtij maratoni, pjesëmarrësit futën rreth 25 artikuj nga fusha e kulturës dhe historisë së Velesit dhe të rrethinës.
Pas maratonit në Veles, pasoi wiki-maratoni në Dibër, i cili u mbajt më 26 prill me fillim në ora 14.00, në hapësirat e Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër (Qendra për kulturë). Në maraton ishin të pranishëm 16 pjesëmarrës, vullnetarë, nxënës të shkollës “Said Najdeni” nga Dibra, si dhe përfaqësues nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër. Gjatë maratonit u krijuan rreth 10 artikuj në gjuhën shqipe dhe atë maqedone. Pjesëmarrësit u përqëndruan në plotësimin e artikujve ekzistues për qytetin e Dibrës me informata të dobishme plotësuese.
Ueb-faqja wiki.mk ka për qëllim ta plotësojë mungesën e informatave me rëndësi lokale – në disa komuna të Maqedonisë. Këto ngjarje kanë për qëllim ta promovojnë wiki-teknologjinë si zgjidhje e lirë dhe efikase për këto probleme, duke vendosur disa wiki-portale që janë në dispozicion të drejtpërdrejtë të komuniteteve lokale.
Tash për tash funksionojnë 3 wiki-portale për komunën e Shkupit, Velesit dhe të Dibrës, mirëpo përmbajtjet që janë pjesë e wiki.mk kanë të bëjnë me rajonin më të gjerë të Shkupit, të Vardarit dhe rajonin jugperëndimor, si dhe me komuna të tjera të vendit.
Gjatë periudhës së ardhshme do të mbahen edhe 2 wiki-maratone, me 4 maj, me fillim në orën 14.00, në Qendrën për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër (Qendra për kulturë) dhe me 9 maj, në Fondacionin Fokus në Veles, me fillim në orën 17.00. Kah fundi i muajit maj dhe në fillim të muajit qershor, maratone të këtilla do të mbahen edhe në Shkup.
Ndaje: