Ngjarjen e hapën drejtori i Drejtorisë për mbrojtje të të dhënave personale (DMDHP) Dimitar Gjeorgjievski dhe Robert Lidl, përfaqësues i delegacionit të BE-së.

Në fokusin e ngjarjes ishte prezantimi i udhëzuesit të gjashtë të Fondacionit Metamorfozis, i përpiluar në bashkëpunim me Drejtorinë, i cili i trajton parimet themelore juridike dhe hapat për krijimin e politikës së mirë për privatësi dhe njëkohësisht e bën më të afërt këtë term për qytetarët dhe për pronarët e ueb-faqeve.

Në pjesën e fundit të ngjarjes, pati qasje nga pikëvështrime të ndryshme sa i përket mbrojtjes së privatësisë në Internet dhe politikave për privatësi si dokument nga komunikologu Sead Xhigall, Viktor Arsovski, redaktor i portalit IT.com.mk, Irina Shumadieva nga Metamorfozis, Angel Nakovski nga DMDHP dhe Aleksandar Ugrinovski nga Ministria për shoqëri informatike dhe administratë. Diskutimi u zhvillua brenda kornizave të këtyre çështjeve: a duhet ueb-faqet qeveritare, posaçërisht ato që ofrojnë shërbime, të kenë politika për privatësi, si duhet mediumet onlajn t’i mbrojnë të dhënat personale të cilat i lënë shfrytëzuesit kur komentojnë, çka do të thotë marrja e pëlqimit nga shfrytëzuesit për mbledhje dhe përdorim të të dhënave personale, mos ndoshta politika për privatësi si dokument është në fazën e harresës, si t’i thjeshtojmë politikat që t’i kuptojnë të gjithë, duke i përfshirë edhe fëmijët.

U prezantua edhe propozim-kodeksi për mbrojtje të privatësisë në Internet, i cili u bë shkak për diskutim të mëtutjeshëm me publikun. Në publik kishte përfaqësues nga organizatat joqeveritare, nga sektori i biznesit dhe nga mediumet.

Një përfundim interesant të cilin e përmendën folësit është fakti se me përparimin e teknologjisë, do të paraqiten gjithnjë e më shumë ueb faqe që do të kërkojnë gjithnjë e më shumë të dhëna personale me qëllim që të ofrojnë mundësi konkrete, prandaj paralajmërimet do të duhet të përfshihen gjatë regjistrimit për shërbimin ose aplikacionin. Këto do të ishin informata të shkurta që do t’i informojnë shfrytëzuesit para se ata të pajtohen t’i japin të dhënat konkrete personale, siç është për shembull rasti me shfrytëzimin e aplikacioneve në Facebook.

Ndaje: