Më 22 dhjetor, Fondacioni Metamorfozis, në kuadër të projektit “Reagimi i Shpejtë ndaj Dezinformatave për Vaksinat”, zhvilloi një uebinar për bashkëpunëtorët e tij – gazetarë dhe për partnerët dhe bashkëpunëtorët në sektorin e medias dhe të shoqërisë civile. Tema e uebinarit iu kushtua gjuhës së urrejtjes në diskursin publik, media dhe rrjetet sociale: Trajnerët e uebinarit ishin Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave (QZhM) dhe Petrit Saraçini nga Civil Media.

Në këtë ngjarje u diskutuan përkufizimet e gjuhës së urrejtjes; baza ligjore dhe legjislacioni në vend lidhur me këtë çështje, si dhe aktet ndërkombëtare të cilave u nënshtrohet gjuha e urrejtjes. Krahas kornizës ligjore, u debatua edhe për normat e përgatitura nga vetë komuniteti mediatik për gjuhën e urrejtjes dhe raportimin në raste të tilla.

Në vazhdim të uebinarit u prezantuan rastet e gjuhës së urrejtjes që janë përdorur në hapësirën publike nga personazhe publikë, politikanë dhe individë dhe se si duhet të trajtohen ato gjatë raportimit të ngjarjeve, rastet kur është përdorur një gjuhë e tillë. Gjithashtu, u veçuan rastet në të cilat pandemia e Kovid-19 është përdorur për qëllime propagandistike duke paraqitur dezinformata, gjuhë nxitëse, stigmatizime, nxitje të intolerancës dhe përballje me atë që mendojnë ndryshe, gjegjësisht me ata që janë pro dhe kundër vaksinimit dhe masave të kujdesit nga përhapja e sëmundjes.

Gjatë debatit, vetë gazetarët i ndanë përvojat e tyre gjatë raportimit të ngjarjeve dhe temave që lidhen me pandeminë, vaksinimin dhe vetë virusin Kovid-19, përvojat e Këshillit për Etikë në Media në rastet e tilla, konkluzionet e arritura nga Këshilli gjatë shqyrtimit dhe zgjidhjes së ankesave etj. Vëmendje e veçantë iu kushtua përmbajtjes së postuar në rrjetet sociale dhe qëndrimit të gazetarisë dhe të komunitetit mediatik ndaj këtij fenomeni, si dhe ndaj të gjitha sfidave mediatike dhe etike që lidhen me temën e gjuhës së urrejtjes në sferën publike.

Ndaje: