Rrjeti ndërkombëtar për verifikimin e fakteve (IFCN), në bashkëpunim me organizatat dhe anëtaret e ngjashme nga e gjithë bota sot e shënojnë Ditën ndërkombëtare të verifikimit të fakteve.

Disa vite me radhë Fondacioni “Metamorfozis” e shënon këtë ditë me një sërë aktivitetesh në kuadër të projekteve të tij, të cilat e përfshijnë portalin “Vërtetmatësi”, Shërbimin për verifikimin e fakteve, KriThink – Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike, si dhe përmes dy portaleve të tij, Meta.mk dhe Portalb.mk.

Këtë vit shënimi i kësaj dite është me rëndësi të veçantë për Fondacionin pasi që portali për llogaridhënie publike dhe transparencë “Vërtetmatësi”, para pak kohësh edhe zyrtarisht u bë pjesë e Rrjetit ndërkombëtar për verifikimin e fakteve Me këtë “Vërtetmatësi” u bë nënshkruesi i verifikuar i Kodit të parimeve të këtij rrjeti dhe anëtar i grupit ekskluziv prej vetëm 66 portaleve të verifikuara për verifikimin e fakteve në nivel global.

 

Kufiri midis përmbajtjeve gazetareske dhe përmbajtjeve të tjera është mjegulluar

Sipas drejtorit ekzekutiv të “Fondacionit Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, sot është më e rëndësishme se kurrë më parë që të gjithë që punojnë në mënyrë profesionale në krijimin e përmbajtjeve t’i verifikojnë dhe t’i konfirmojnë faktet para publikimit të tyre, sepse kufiri midis përmbajtjeve gazetareske dhe përmbajtjeve të tjera është mjegulluar.

– Verifikimi i fakteve në kohën e sotme është i shumë rëndësishëm për çdo industri dhe për çdo profesion, e jo vetëm për gazetarinë. Metamorfozis filloi në vitin 2011 me verifikimin e fakteve në deklaratat dhe premtimet e politikanëve, e pastaj nga viti 2013 filluam edhe me verifikimin e fakteve në media, e më pas vazhduam me edukimin dhe zbatimin e të menduarit kritik si mënyrë për t’iu kundërvënë efekteve të dezinformatave në media – thotë Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”.

Dita e verifikimit të fakteve – 2 prilli, e cila shënohet menjëherë pas 1 prillit – “ditës së gënjeshtrave”, paraqet një thirrje globale për aksion për më shumë fakte në politikë, gazetari dhe në jetën e përditshme.

Anëtarët e IFCN konsiderojnë se verifikimi i fakteve nuk duhet të jetë diçka që e bëjnë vetëm gazetarët profesionistë dhe verifikuesit e fakteve nëpër redaksi. Ekzistimi i një ekosistemi të mirëfilltë ndërkombëtar që krijon dhe shpërndan informata të sakta dhe të verifikuara kërkon që të gjithë ta kryejnë pjesën e tyre të punës.

Metamorfozis punon në verifikimin e fakteve që nga viti 2011

Fondacioni Metamorfozis punon në projekte të specializuara për verifikimin e fakteve që nga viti 2011 me krijimin e Vërtetmatësit, si një ueb-faqe për llogaridhënie publike dhe transparencë, aktivitetet kryesore të së cilës përfshijnë verifikimin e vërtetësisë së deklaratave të bëra publikisht nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, si dhe verifikimin e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të partive politike.

Pastaj, nga viti 2013 deri në vitin 2017, Fondacioni “Metamorfozis” punoi edhe në Shërbimin për verifikimin e fakteve në media, i cili u publikua në kuadër projektit me emrin e njëjtë, detyra kryesore e të cilit ishte recensioni i produkteve gazetareske sipas një metodologjie të përcaktuar më parë, me qëllim të përcaktimit të vërtetësisë së tyre, por edhe konstatimit më të gjerë se a zbatohen standardet profesionale në mënyrë konsekuente.

Nga viti 2018, Fondacioni filloi edhe me zbatimin e projektit “KriThink – Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike“, qëllimi kryesor i të cilit është përhapja e njohurive elementare mediatike në vend përmes një sërë përmbajtjesh dhe veglash edukative dhe informative, të cilat publikohen edhe përmes portalit të projektit.

Ndaje: