Përfaqësues të rrjetit ACTION SEE morën pjesë në Konferencën e VIII Shkencore Ndërkombëtare “Devijimet Sociale” që u mbajt në Banja Llukë të Bosnje dhe Hercegovinës, më 23-24 qershor 2023. Tema e konferencës së këtij viti ishte e Drejta për shëndet dhe arsim: të drejtat universale të njeriut.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut flet për dy të drejta universale të njeriut – të drejtën për shëndet (neni 25) dhe të drejtën për arsim (neni 26). Sipas kësaj deklarate, e drejta për shëndet nënkupton që çdokush ka të drejtën e një standardi jetese që garanton shëndetin dhe mirëqenien e tij dhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, strehimin dhe kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si dhe si e drejta për sigurim në rast të papunësisë, sëmundjes, paaftësisë, pleqërisë ose rasteve të tjera të humbjes së mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave që janë jashtë kontrollit të tij. Nënat dhe fëmijët kanë të drejtë për kujdes dhe ndihmë të veçantë. Të gjithë fëmijët, të lindur në martesë ose jashtë martese, gëzojnë mbrojtje të barabartë sociale. E drejta për arsim thekson se çdokush ka të drejtën e arsimimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në shkollat fillore dhe të mesme. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të jetë i disponueshëm në mënyrë të barabartë për të gjithë në bazë të aftësive të tyre. Arsimi duhet të synojë zhvillimin e plotë të personalitetit njerëzor dhe konsolidimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Arsimi duhet të promovojë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve racore dhe fetare, si dhe të aktiviteteve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Tema e konferencës së këtij viti nis nga dilemat dhe pyetjet e ndryshme si: A e dimë se çfarë parashikon Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut? Si i sigurojmë këto të drejta në nivel kombëtar dhe global? Çfarë sfidash shëndetësore sjell e tashmja dhe e ardhmja? Çfarë risi arsimore meritojnë brezat e rinj? Cilat janë aspektet dhe parimet ligjore që sigurojnë zbatimin e këtyre të drejtave universale në shoqëri? etj.

Ndaje: