Sipas organizatorit, Forumit arsimor rinor – FAR (MOF në maqedonisht), në konferencë morën pjesë 250 mysafirë në sallën e kinemasë Frosina, 900 shikues të video transmetimit në internet, 18 prezantues dhe disa dhjetëra ekzekutues të performancave ndërmjet sesioneve. Qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte këmbimi i praktikave, shembujve dhe përvojave pozitive, që të mund të veprohet në mënyrë efikase dhe efektive në internet dhe në hapësirën fizike, që ishin të shpërndara në 3 segmente tematike: mobilizimi, ideja dhe aksioni.
Në Engage, përfaqësuesi i fondacionit Metamorfozis, Filip Stojanovski, mbajti një prezantim për Global Voices, nga këndvështrimi i aktivizmit qytetar. Ai përcolli një pjesë të përvojave si autor/korrespodent dhe përkthyes, duke e potencuar rëndësinë e kyçjes në këtë komunitet vullnetarësh për bloguesit dhe aktivistët e tjerë, të cilët dëshirojnë ta rrisin dukshmërinë e iniciativave qytetare në nivel ndërkombëtar, në gjuhën angleze dhe në dhjetëra gjuhë të tjera. Nga ana tjetër, përkthyesit e versioneve të ndryshme gjuhësore mundësojnë futjen e njohurive të reja dhe zgjerimin e diapazoneve të pjesëtarëve të kulturave të tyre.
Foto: Vanço Xhambaski
Në Engage morën pjesë edhe përfaqësueset e versioneve të Global Voices në maqedonisht dhe në shqip, redaktorja Elena Ignatova dhe Tamara Resavska, të cilat siguruan përkrahje logjistike për vullnetarët potencialë nga publiku. Si rezultat i prezantimit, tre pjesëmarrës në Engage, menjëherë u paraqitën që të bëhen vullnetarë-përkthyes në versionin maqedonas të GV-së.
Vanço Xhambaski dhe Vesna Ilieska publikuan fotogaleri nga ngjarja nën licencat Creative Commons. Radio MOF e publikoi galerinë zyrtare me fotografi nga Vlladimir Çallovski dhe video-dokumentacionin e gjithë programit nëpërmjet kanalit të MOF-së në Youtube. Të gjitha prezantimet nga Engage u publikuan në IT.com.mk.
Ndaje: