Sot, në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, Fondacioni Metamorfozis zhvilloi ngjarjen Dialogje për Agjendën Digjitale: Raport mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut për prezantim dhe diskutim në lidhje me raportin. Ngjarja ishte e dedikuar për prezantimin e hulumtimit të kryer në kuadër të Observatorit të Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut, si dhe për të zhvilluar një diskutim mbi sfidat dhe hapat e ardhshëm për zbatimin më të mirë të digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut. Vetë fakti që ngjarja mblodhi mbi 250 palë të interesuara përmes kanalit ZOOM dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në Facebook, dëshmon më tej për rëndësinë e kësaj teme për qytetarët.
Burimi: Video-incizim nga transmetimi i drejtpërdrejtë nga faqja ICEDA në Facebook
Në ngjarje diskutuan nga Aleksandar Acev – Shef i hërbimit në Qendrën Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike MKD-CIRT, Aleksandar Bajdevski – Zëvendës Ministër në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Bardhyl Jashari – Drejtor Ekzekutiv i Fondacioni Metamorfozis, Elena Mançeva – Sekretare Shtetërore në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Dr. Irena Bojaxhievska – Docent në Universitetin “American College” në Shkup, Dr. Natalia Shikova – Dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Ndërkombëtar të Ballkanit, Iskra Belçeva – Ristovska – Koordinatore e Programeve në Qendrën për Menaxhim me Ndryshimet, dhe Nikica Mojsoska-Blazhevski, Kryedrejtor Ekzekutiv i Maqedonia 2025.
Teksti më poshtë është marrë pjesërisht nga agjencia e lajmeve Meta.mk, kurse teksti origjinal mund të lexohet këtu.
Burimi: Printscreen
“Digjitalizimi është një komponent kyç në luftën kundër korrupsionit në shoqëri, pasi e eliminon faktorin njerëzor dhe e zvogëlon rrezikun e korrupsionit,” theksoi Zëvendës Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aleksandar Bajdevski në ngjarjen në internet “Dialogjet për Agjendën Digjitale: Prezantimi i Raportit mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” të Fondacionit Metamorfozis, i cili bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian.
Bajdevski shtoi se kriza e koronavirusit e theksoi rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset. Prandaj, tha ai, fokusi i Qeverisë është zhvillimi i platformës digjitale, dhe në atë drejtim, deri më tani ajo ka miratuar strategji, të dhëna të hapura të institucioneve, është rritur siguria kibernetike dhe ka miratuar disa zgjidhje ligjore që do të mundësojnë lëshimin e dokumente elektronike me vlefshmëri juridike.
Bajdevski njoftoi se deri në fillim të vitit 2023, shoqëria civile do të përfshihet plotësisht në zbatimin e Agjendës Digjitale.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, tha se që nga themelimi i fondacionit, qëllimi ka qenë promovimi i teknologjive të reja që do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve, të cilët duhet t’i kenë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme, si dhe kulturën e përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë digjitale.
Prandaj, theksoi Jashari, për përdorimin e teknologjisë digjitale, duhet të punojnë të gjithë palët e interesuara, për të krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale për përdorimin e pandërprerë të shërbimeve të reja të digjitalizuara.
“Zhvillimi dhe përdorimi i teknologjive të reja është një proces i pashmangshëm dhe për këtë arsye duhet të krijohen kushte për shfrytëzimin e plotë të përfitimeve të transformimit digjital. Qytetarët duhet të informohen për Agjendën Digjitale, të mësojnë mundësi të reja të teknologjive digjitale, të marrin pjesë në prioritizimin e shërbimeve që do të digjitalizohen dhe të kontribuojnë si të bëhet kjo”, tha Jashari.
Ai shtoi se heqja e roamingut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor më 1 korrik është pjesë e Agjendës Digjitale. Qytetarët i ndiejnë përfitimet, dhe rezultat i kësaj është përmirësimi i komunikimit dhe klimës së biznesit, me ç’rast qëllimi kryesor është përmirësimi i cilësisë së jetës.
Vitin e kaluar, numri i shërbimeve elektronike të përdorura nga portali i e-shërbimeve u dyfishua në krahasim me vitin 2019, gjegjësisht nga 17,241 në 34,843, tregon Raporti mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyesi për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut.
Dekania e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Ndërkombëtar të Ballkanit, Natalija Shikova, gjatë prezantimit të këtij raporti tha se jo të gjitha shërbimet janë digjitalizuar plotësisht, dhe ky portal nuk ofron një pikë të vetme të shërbimeve, por ridrejton në portale të tjera, gjë që duhet të përmirësohet. Prandaj, tha Shikova, është e pamundur të shihet se sa qytetarë përdorin shërbime elektronike. Të dhënat e sondazhit tregojnë se vetëm 18 për qind e shërbimeve në vend mund të përdoren në mënyrë elektronike.
Shikova theksoi se përkundër faktit se kemi një përmirësim në ofrimin e shërbimeve elektronike, megjithatë ende jemi mbrapa rajonit dhe jemi larg mesatares së Bashkimit Evropian.
Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Elena Mançeva, tha se qytetarët i njohin përfitimet, siç është heqja e roamingut, por nuk e lidhin atë me Agjendën Digjitale. Mançeva vuri në dukje se në Strategjië afatgjatë për teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit gjithashtu është përfshirë edhe strategjia për digjitalizim.
Në portalin për e-shërbime tani janë në dispozicion vetëm shërbimet për qytetarët, kurse Mançeva njoftoi edhe ofrimin e 125 shërbimeve të reja për bizneset, përmes projektit IPA. Ajo gjithashtu rekomandoi digjitalizimin e regjistrave në institucione, si dhe prishjen e barrierave ndërmjet tyre, në interes të ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët, sepse shteti është ai që duhet të jetë një ofrues i shërbimeve, me ç’rast qytetarët nuk është patjetër ta dinë se cili institucion në prapavijë e bën punën.
Koordinatorja e programeve në Qendrën për Menaxhim me Ndryshimet, Iskra Belçeva-Ristovska, tha se hulumtimi i tyre tregoi se 16,3 për qind e të anketuarve të tyre mendonin se punonjësit në administratë ishin joprofesionalë. Prandaj, ajo theksoi se aftësia e punonjësve në sektorin publik është thelbësore dhe se ata u japin vlerë të shtuar sistemeve elektronike për shërbime më të lehta për qytetarët. Belçeva-Ristovska vuri në dukje se portali për e-shërbime nuk ofron shërbime nga komunat, sepse ato nuk i kanë unifikuar dokumentet. Prandaj, rekomandoi ajo, institucionet qendrore duhet t’i detyrojnë institucionet lokale të gjejnë zgjidhje digjitale.
Kryedrejtorja Ekzekutive i “Maqedonia 2025”, Nikica Mojsoska-Bllazhevski tha se po përgatitet Iniciativa Digjitale 2025, e cila synon të punojë në mbledhjen e të dhënave ndërkombëtare për të krahasuar se në çfarë niveli gjendet Maqedonia në aspekt të aftësive digjitale, digjitalizimit të administratës publike dhe të ofrojë masa për përmirësimin e renditjes. Prandaj, theksoi Mojsoska-Blazevski, është e rëndësishme të bashkëpunohet me të gjithë aktorët, siç janë institucionet shtetërore dhe sektori joqeveritar, për të qenë komplementarë në qëllimin, përmes digjitalizimit të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe të përmirësohet klima e biznesit për bizneset.
Burimi: Printscreen
Për më shumë informacion, përmes linkeve të mëposhtme mund të merrni Raportin dhe vizualizimet e tij:
- Raport mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut
- Vizualizimi e-shërbimet 2021
- Vizualizimi – e-shërbimet në test
- Vizualizimi – Aftësitë digjitale
Në bazë të gjetjeve të këtij Raporti, rekomandimet tona janë dhënë vazhdim.
Zhvillimin strategjik, ligjor dhe administrativ
- Qeveria duhet të caktojë një zëdhënës, i cili do të raportojë rregullisht për përparimin për sa i përket zbatimit të AD-së dhe të cilin qytetarët do ta njohin në këtë kontekst. Kjo është e nevojshme për të ngritur vetëdijen e publikut për përfitimet nga AD-ja, si dhe për ta sjellë AD-në më pranë qytetarëve. Në këtë drejtim, është e nevojshme të promovohen aktivitetet dhe bashkëpunimi nën ISA2, gjegjësisht rezultatet e zbatimit të AD-së të lidhen drejtpërdrejt edhe me anëtarësimin e ardhshëm të RMV-së në BE;
- Për shkak të përfitimeve që i kanë qytetarët dhe kompanitë nga e-shërbimet, e si rezultat i masave nga zbatimi i AD-së, është e nevojshme të përqendrohen reformat në zhvillimin intensiv të shoqërisë informatike;
- Është e nevojshme që institucionet të kenë një qasje proaktive për përfshirjen e OShC-ve në proceset e hartimit dhe bashkë-menaxhimit të politikave në fushat që lidhen me AD-në. Është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi në fushat e “Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale” dhe “Hulumtimit dhe Inovacioneve”, si dhe të përmirësohet komunikimi midis palëve të interesuara dhe OSHC-ve, gjegjësisht të forcohet besimi i ndërsjellë;
- Nevojiten masa shtesë për të promovuar Portalin uslugi.gov.mk, si p.sh. qëndrueshmëria më e madhe për sa i përket funksionimit të tij. Portali duhet të sigurojë informacion mbi numrin e përdoruesve të regjistruar – personat juridikë dhe fizikë, informacion mbi shërbimet më të kërkuara ose më të përdorura nga qytetarët dhe kompanitë, si dhe të dhëna që rezultojnë nga matja e kënaqësisë së klientëve;
- Të krijohet një plan tranzicioni, gjegjësisht për digjitalizimin e plotë të disa shërbimeve pilot, me afate të përcaktuara saktësisht (p.sh. për 5 vjet) në të cilat opsioni për ta marrë atë shërbim në sportel do të kufizohej gradualisht, drejt heqjes së tij të plotë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të jepet mbështetje intensive për qytetarët në këtë drejtim;
- Lidhur me kompetencat dhe aktivitetet e MKD-CIRT, rekomandojmë forcimin e kapaciteteve të punonjësve të MKD-CIRT (që nuk nënkupton detyrimisht punësime të reja, por rishpërndarje të burimeve tashmë të kualifikuara ekzistuese), si dhe rritjen e dukshmërisë së këtij organi sepse një numër i madh i institucioneve shtetërore, që në të vërtetë janë ose duhet të jenë përbërës të tij, nuk dinë mjaftueshëm për rolin dhe misionin e tij;
Siguria kibernetike
- Institucionet që nuk kanë zgjidhje prioritare për DMS ose në përgjithësi zgjidhja qendrore për DMS, është e nevojshme të zgjedhin një platformë teknike për ruajtjen e kujtesës (memories) institucionale me një modul të veçantë për këtë qëllim. Nuk është e nevojshme të pritet zgjidhja kombëtare, siç është sistemi i menaxhimit të dokumenteve, sepse institucionet nuk do të bëhen pjesë e DMS-së qendrore në të njëjtën kohë. Institucioni mund të zhvillojë sistemin e tij ose të përdorë zgjidhje falas si bazë për përshtatjen e mëtejshme. Duhet vetëm të vendoset koordinim me MShIA-në për të siguruar harmonizim me zgjidhjen e DMS-së që është duke u zhvilluar nga MShIA-ja;
- Është e nevojshme të ndërmerren hapa më seriozë drejt implementimit të sistemit të ndërveprimit (interoperabilitetit). Raporti i Progresit i KE-së për RMV-në për vitin 2020 konkludon se në periudhën raportuese përdorimi i sistemit të ndërveprimit nuk është rritur sa duhet, gjegjësisht shumë institucione nuk e përdorin atë pavarësisht se kanë instaluar pajisje dhe softuer;
- Parimi “Vetëm një herë”, gjegjësisht administratat publike të mbledhin informacion nga qytetarët dhe bizneset vetëm një herë, e pastaj ta shkëmbejnë dhe ta ri-përdorin këtë informacion) duhet të jetë një prioritet i lartë politik. Nuk ka arsyetim për rritjen e procedurave në të cilat nevojiten dokumente që institucionet e tjera i kanë tashmë;
Edukimi digjital
- Duke pasur parasysh që në këtë periudhë raportuese nuk ka asnjë hap përpara sa i përket edukimit digjital, rekomandimet nga Udhërrëfyesi i vitit të kaluar për avancimin e Agjendës Digjitale
në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbeten të plota.
Ndaje: